Ka ndodhur, prandaj mund të ndodhë sërish

Facebook
Twitter
LinkedIn

Ka ndodhur, prandaj mund të ndodhë sërish.

-Primo Levi


Sot pamë një anije, e cila u kthye në kortezhin e vdekjes së demokracisë në botën perëndimore. Kur në media u shpalosën pamje nga kampi i emigrantëve dhe anija, truri dhe e gjithë qenia ime e kishte të pamundur të mos i paralelizonte ato me kampet naziste të përqendrimit, jo sepse kushtet janë identike, por për shkak të mekanizmave të ngjashëm të dehumanizimit dhe indiferencës që çuan në tragjedinë më të errët të shekullit të kaluar.

Primo Levi, një shkrimtar italian me origjinë hebreje, i mbijetuar i Holokaustit, përmend në veprën e tij se mekanizmat që lindën fashizmin dhe që çuan në krijimin e kampeve të përqendrimit janë komplekse, por një element i padiskutueshëm është dehumanizimi i individit. Në këtë rast, emigrantët, kryesisht burra, trajtohen si një masë homogjene pa personalitet, pa të drejta, duke u ndarë me dhunë nga familjet e tyre dhe ëndrrat për liri e për një jetë më të mirë.

Ky lloj trajtimi rikujton logjikën e ndarjes dhe përjashtimit që ishte në qendër të politikave naziste, ku viktimat u çhumanizuan dhe u reduktuan në shifra, kategori dhe klasa të padëshiruara nga regjimi.


Shoqëria shqiptare dhe ajo italiane janë në prag të të njëjtës apati që Levi e identifikoi te gjermanët gjatë Holokaustit. Frika për sigurinë kombëtare, propaganda që i përshkruan emigrantët si një kërcënim për shoqërinë dhe interesat e ngushta personale të politikanëve të të dyja shteteve kanë kontribuar në ndërtimin e një narrative që justifikon këto politika çnjerëzore, shtypëse dhe segreguese.

Levi shkruan në librat e tij se një nga arsyet pse populli gjerman qëndroi i heshtur ishte frika, dhe kjo frikë është gjithashtu një faktor kyç në ndarjen dhe izolimin e emigrantëve në ditët e sotme. Frika nga “tjetri,” nga emigranti që mund të sjellë trazira sociale, ekonomike apo politike, i shtyn njerëzit të pranojnë politika që përndryshe do të dukeshin të padrejta dhe çnjerëzore. Në të njëjtën kohë, propaganda e qeverive që ushqen këtë frikë, ashtu si në kohët naziste, i dehumanizon “të tjerët,” duke e bërë më të lehtë që shoqëria të qëndrojë pasive dhe të mos e kundërshtojë këtë trajtim çnjerëzor.

Kortezhi i sotëm i vdekjes së demokracisë duhet të na shtyjë të reflektojmë thellë mbi ndjenjat e frikës, indoktrinimit dhe indiferencës që kanë infektuar dhe po shkatërrojnë shoqërinë tonë. Sikurse Levi paralajmëron, “What happened can happen again,” dhe për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm për të mos lejuar që politika të tilla të na largojnë nga parimet themelore të të drejtave të njeriut dhe humanizmit.

– Xheni Karaj

Scroll to Top