Streha Gala 2019

Më datë 14 Maj Streha organizoi mbrëmjen gala të rradhës me qëllim mbledhjen e fondeve dhe dhurimeve për institucionin e vetëm mbështetës për të rinjtë LGBT+ në Shqipëri, i cili mbron dhe ndihmon këto të rinj me vështirësitë e jetes së tyre të përditshme në Shqipëri.


Që prej vitit 2014 kur u inaugurua, qendra Streha ka shërbyer si një mbështetje shumë e madhe për të rinjtë e komunitetit LGBT+ në Shqipëri, të cilat janë përballur me dhunë, diskriminim dhe janë përzënë nga shtëpitë e tyre vetëm për shkak të orientimit seksual apo identitetit të tyre gjinor.

Shërbimi rezidencial, është vetëm njëri nga shërbimet e ofruara nga Streha, e cila në fokus të saj ka fuqizimin e të rinjve për të bërë të mundur përballjen e tyre me realitetin e vështirë ku i duhet të jetojnë dhe njëkohësisht të kontribuojë në ndryshimin e këtij realiteti.

Flet aktivistja Karaj për testet e HIV ” Aleanca LGBT është një mjedis i besueshëm për komunitetin që të testohet”

Stigma rreth personave të infektuar me HIV vijon të mbetet e lartë, por kjo stigmë përforcohet kur personi i infektuar i përket një komuniteti të margjinalizuar sikurse është komuniteti LGBTI+.

“Që nga hapja e Aleanca LGBT, ndërgjegjësimi rreth SST dhe HIV/SIDA ka qenë në fokus të punës sonë. Në fillim nuk kishim mundësi të jepnim shërbimin e testimit. Më parë kemi bashkëpunuar me Institutin e Shërbimit Publik (ISHP) si dhe me organizata të tjera për të sjellur mundësinë e testimit më pranë komunitetit. Kjo nënkupton që pjesëtarë të komunitetit LGBTI+ të kenë mundësi të zhvillojnë testin pranë një ambjenti që është më i sigurtë për ta”, shprehet aktivistja Xheni Karaj dhe njëkohësisht drejtuese e “Alenca LGBT+”.  Për këtë arsye HistoriaIme vendosi të intervistojë aktivisten Karaj  për të folur rreth testimeve të bëra pranë kësaj organizate dhe rëndësinë e tyre për komunitetin LGBTI+ në Shqipëri.

Ekspozita “Dollape të zbrazura”

Ditën e premte në ambjentet e qendrës rinore në Tiranë u çel ekspozita e fotografes Loreta Cuka me fotografi, histori dhe përjetime nga komuniteti LGBT+ në Shqipëri.

Ekspozita është një prej aktiviteteve të parashikuara në kuadër të Javës së Krenarisë, e cila nis ditën e sotme dhe do të kulmojë më Paradën e Krenarisë ditën e shtunë me 18 Maj.

Në ekspozitën e quajtur “Empty Closets” dhe të kuruar nga kuratorja Blerina Berberi, fotografja synon të zbrazë ‘dollapet’ e pjesëtarëve të komunitetit dhe të ndihmojë ato në procesin e gjatë dhe të vështirë të vetpranimit dhe atë të pranimit shoqëror.

Portretet e individëve LGBT+ të cilët për herë të parë dalin hapur në shoqëri janë të shoqëruara me historitë e tyre personale dhe përjetime nga dhjetëra pjesëtarë të tjerë të komunitetit të cilët ende e kanë të vështirë të bëjnë publik identitetin e tyre gjinor apo orientimin e tyre seksual.

Trajnim rreth komunitetit LGBTI+ me punonjësit e njësive administrative të Bashkisë së Tiranës

Aleanca LGBT në bashkëpunim me organizatën “Pro-LGBT” kanë realizuar ditën e sotme një trajnim me punonjësit e disa prej njësive administrative të Bashkisë së Tiranës. Trajnimi është fokusuar në prezantimin e terminologjisë së LGBT+ dhe situatës së përgjithshme të komunitetit në Shqipëri.

Pjesë e këtij trajnimi ishin disa punonjës nga njësitë administrative me numër 1,2,3 nga Bashkia e Tiranës. Punonjësit u njohën më në detaj me legjislacionin shqiptar rreth komunitetit LGBTI+, shërbimet që Aleanca LGBT dhe “Pro-LGBT” ofrojnë si organizata nga shoqëria civile në promovim të të drejtave LGBTI+.

Policia e Shtetit dhe komuniteti LGBTI+: Sa të sigurtë ndihen personat LGBTI+ për të raportuar ngacmimet?

Një projekt për policinë shqiptare dhe shërbimin që ofrojnë ndaj komunitetit LGBTI+ është prezantur këtë javë. Projekti mbi “Zvogelimin e diskriminimit si dhe për mbrojtjen e të drejtave të personave lezbike, gay, biseksualë, transgjinorë dhe interseksualë (LGBTI) në Shqipëri” do të vihet në zbatim së bashku me partnerë të jashtëm si Policia Kombëtare Holandeze si dhe COC Holandë.

Projekti është i decentralizuar duke mos u përqëndruar vetëm në Tiranë, por edhe Lezhë, Vlorë dhe Kukës duke ndihmuar strukturat policore për tiu përgjigjur më efektivisht krimeve me bazë urrejtjen dhe diskriminimin.

Në tryezën e diskutimit të ditës së martë, morën pjesë aktorë dhe partnerë lokal dhe ndërkombëtarë të interesuar për projektin duke përfshirë këtu: përfaqësuesit vendorë të policisë, prokurorisë, zyrtarët bashkiakë për barazi gjinore, institucionet e të drejtave të njeriut dhe OJQ-të.

Rrëfimi i Lindës, transgjinorja që jeton në Itali

Emri im është Linda, kam lindur në Shqipëri në vitin 1987. Jam një vajzë transgjinore që jeton në Itali prej vitit 1999. Jam trans që prej moshës 20 vjeç edhe pse nuk është korrekte të thuash kështu duke qenë se jam ndjerë femër që kur kam lindur. Unë besoj tek nevoja për të treguar historitë e vajzave trans që janë të gatshme të përballojnë betejën kundër paragjykimeve dhe transofobisë. Prej shumë vitesh bashkëpunoj me shoqatën italiane të transgjinorëve e cila lufton për njohjen e të drejtave tona dhe sot ndihem e gatshme të përballem me popullin shqiptar dhe të dal hapur në lidhje me nacionalitetin tim.

Jeta ime ka qenë shumë e trazuar dhe e vështirë, si ajo e pjesës më të madhe të vajzave transeksuale, por kjo është një tjetër histori, sot dua të flas për gjëra më specifike në lidhje me temën e transeksualëve. Kohë më parë kam parë një intervistë në një televizion kosovar të Edonës, një transgjinoreje tjetër dhe komentet që lexova poshtë intervistës më bënë të qaj nga zemërimi. Shqipëria është një vend kaq i bukur dhe shqiptarët janë një popull i dashur dhe i ëmbël, me vlera që nuk i kam gjetur në asnjë vend tjetër, por ka një problem të madh që është ai i mosinformimit. Mendoj se është shumë e rëndësishme që komuniteti trans të shfaqet në televizion për t’i bërë njerëzit të kuptojnë se të jesh trans nuk është një lojë e as një zgjedhje por është një gjendje. Do të doja që personat që na gjykojnë ne si një turp e që thonë se duhet të vdesim, meritojmë të pushkatohemi apo se Enver Hoxha do të na e bënte mirë, të kuptojnë se nëse të jesh trans do të ishte realisht një zgjedhje, ne nuk do ta bënim kurrë.

Kurorëzohet Miss Trans Albania 2019

Ditën e shtunë, mes emocionesh dhe surprizash, u zhvillua konkursi i shumëpritur i bukurisë, Miss Trans Albania 2019.

Eventi i organizuar nga Aleanca LGBT dhe Streha LGBT, promovon bukurinë e vajzave transgjinore dhe rrit vizibilitetin e komunitetit trans në vendin tonë, duke u dhënë mundësinë këtyre vajzave të guximshme, për të festuar bukurinë dhe individualitetin e tyre në shoqëri.

Këtë vit në Miss Trans Albania morën pjesë 10 vajza të cilat konkuruan në 3 sfilata. Sfilatat u ndërthurën me performanca të shumta nga të ftuarat dhe me humorin e dy moderatoreve, Klea dhe Hirushja.

Adoleshenti transgjinor vret veten sepse stafi i spitalit e quante vajzë

Një adoleshent transgjinor vrau veten, pasi personeli i spitalit vazhdimisht i referohej si vajzë.

Kyler Prescott ishte vetëm 14 vjeç kur vrau veten për shkak të ankthit dhe depresionit në mars të vitit të kaluar.

Para vdekjes së tij, ai u shtrua në spitalin e fëmijëve Rady në San Diego, e cila ka një klinikë të menaxhimit gjinor për fëmijët me disfori gjinore, për t’u vendosur në vëzhgimin vetëvrasës.

Megjithatë, pavarësisht njësive të specializuara, nëna e Kyler, Katherine Prescott tha se stafi vazhdoi t’i referohej atij si vajzë dhe shpesh përdornin përemra femërorë.

Duke folur për Washington Post, ajo tha se kjo i shkaktoi atij të futej “në një spirale emocionale”.

“Ai ishte i tërbuar”, tha ajo.

“Ata po e përkeqësonin. Po e traumatizonin totalisht”.

Këtë javë, Znj. Prescott ngriti një padi kundër spitalit Kaliforniano Jugor në një Gjykatë Qarku Amerikane.

Ajo tha se ndërsa nuk e fajëson spitalin për vdekjen e Kyler, ajo duhet të ” sigurohet se [kjo] nuk do të ndodhë me ndonjë fëmijë tjetër”.

“Kur djali im ishte i dëshpëruar, unë i besova Spitalit të fëmijëve Rady sigurinë dhe mirëqënien e tij”, tha ajo.

“Spitalet supozohet të jenë vende të sigurta që i ndihmojnë njerëzit kur ata janë në nevojë.

“Në vend që të shërohej në spital, Kyler u përkeqësua për shkak se stafi vazhdoi ta traumatizojë atë duke e trajtuar në mënyrë të vazhdueshme si vajzë dhe duke injoruar problemet e tij të rënda shëndetësore.

“Është e dhimbshme të flas, por unë dua të sigurohem që asnjë prind ose fëmijë tjetër të kalojë atë që kalova unë.”

Në përgjigje të padisë, Spitali i Fëmijëve Rady tha se ishte “prioriteti kryesor” i tyre që të sigurojë nivelin absolut më të lartë të kujdesit të pacientëve.

“Ndërsa është politika e Spitalit të Fëmijëve Rady të mos komentojë çështjet ligjore të mbetura pezull, çdo pretendim për shkelje, duke përfshirë diskriminimin, po hetohen imtësisht dhe do të ndiqen deri në fund,” thuhej në një deklaratë./A.A.

Burimi:www.historia-ime.com

X